Zgjidh (mendo) & shkrep

Zgjidh (mendo) & shkrep

Sot, në pothuaj çdo fushë të jetës, kënaqësia e momentit duket se është qëllimi i vetëm. Si pasojë, durimi duket se është kthyer në një koncept primitiv. Artizanalja dhe e përsosura duket se janë zhdukur bashkë me të. E vërteta e gjithë kësaj nuk mund të shihet më qartë se sa në botën e fotografisë. Por, cila është kosto?

Epoka dixhitale i ka bërë të gjithë ‘fotografë’. Gjithçka që duhet të bësh është të mbash aparatin, drejtosh kamerën, të prekësh një buton, të shkrepësh disa poza dhe kaq! Gjithë ajo puna e vështirë bëhet vetë.

Dhe përsëri, në thjeshtësinë dhe efikasitetin e saj, diçka jetësore dhe magjike është zhdukur nga arti i fotografisë – një humbje e durimit, konsideratës ndërsa kërkon fotografinë perfekte; një mungesë e përqendrimit ndërsa kuadron pozën ideale; mungesë e habisë kur merr fotografinë dhe kupton që ke kapur pozën perfekte.

Dyzet vjet më parë fotografia ndryshoi drejtim kur një inxhinier i ri me emrin Steve Sasson prodhoi aparatin e parë dixhital në Shtetet e Bashkuara. Aparati i parë ishte i rëndë dhe i madh, por nisi një revolucion: shpejt prodhuesit e mëdhenj po prodhonin aparatë dixhitalë të vegjël, efiçente dhe relativisht të lirë. Tregu shpërtheu.

Siç tha për formën dixhitale edhe një artikull i revistës të BBC: “Nuk ka më mbushje të kamerave me rrotulla filmi dhe mbështjellje të tyre. Nuk ka më mbarim të filmit në momentin perfekt. Nuk ka më marrje të printimeve nga një laborator vetëm për të zbuluar se poza ‘perfekte’ është prishur nga gishti i dorës ose nga sytë e kuq.”

Londinezi Charlie Abbiss, punonjës në një laborator filmi, nuk kishte të njëjtin këndvështrim mbi shpikjen, kjo edhe sepse ajo rrezikoi jetesën e tij.

Por në 2010-ën, ai dhe kolegu i tij Tori Khambhaita formuan Film’s Not Dead, bazuar më shumë në shpresat sesa në pritshmëritë e tyre. Abbiss shpjegoi: “Të gjithë kemi punuar me filmin dhe kishim frikë për atë që do të na sillte e ardhmja… megjithatë rikthimi ka qënë madhështor.”

Fotografë nga Londra deri në Nju Jork, Baltimore, Johanesburg, Tokio, Vankuver dhe Stokholm janë bashkuar me tendencën drejt filmit.

Nëse kap një fotografi të mirë në ditë, atëherë ia kam dalë mbanë.

Fotografi David Geffin tha në një blog në sitin e Fstoppers: Unë jetoj në New York – çdo herë që kam mundësinë të praktikoj durimin, e bëj. Sa më shumë kohë që kaloj duke bërë çfarëdo lloj fotografie, aq më shumë kuptoj se kjo do të thotë të shkrepësh më pak, të ngadalësohesh dhe të vëzhgosh më shumë. Sigurisht, mund të ketë raste ku do që të shkrepësh një numër të madh pozash për sekondë, por nëse po përpiqesh të përcjellësh një emocion ose të shfaqësh një gjendje shpirtërore, mendoj se ja vlen më shumë të presësh, të vëzhgosh, të fokusohesh dhe të kesh një vizion të qartë në kokë para se të shkrepësh, në vend që të shkrepësh dhe pastaj të shikosh fotografitë, duke u përpjekur të zbulosh se çfarë po përpiqeshe të thoshe.”

Paolo Marchesi nga Italia, i vendosur tashmë në San Françisko tha se i pëlqente ndjesia ‘organike’ e filmit dhe proçesit: “Të bën një fotograf më të mirë. Me formën dixhitale është e lehtë të shkrepësh menjëherë pa marrë vërtet kohën për të bërë ‘fotografinë’.”

Abbiss është i bindur se procesi i dhomës të errët ka luajtur gjithashtu një rol thelbësor në rikthmin e filmit.

“Dhomat e errëta janë vende shumë të veçanta për të gjithë fotografët e filmit,” tregoi ai. Në epokën dixhitale, fotografia është bërë një sport vetmitar: një njeri dhe kompjuteri i tij që ngarkon ose dërgon foto me email. Dhomat e errëta janë antiteza e kësaj, ato janë hapësira ku fotografët kërkojnë këshilla, pasqyrojnë punën e tyre, shkëmbejnë mendime dhe lidhen së bashku.

Ai shtoi: “Nuk mund t’i thurë mjaftueshëm lavde dhomës të errët. Pjesa më e mirë e çdo dhome të errët është printeri kryesor: titulli duket sikur nënkupton se ai vetëm printon, por jo, ai ju ndihmon të kuroni, të gjeni tonet e duhura dhe të vini në pikëpyetje vendimet tuaja.”

Në thelb, ata po i japin rëndësi elementit njerëzor; bashkëveprimit dhe ndarjes me njerëzit e tjerë të një pasioni të përbashkët. Këto janë gjërat që i japin kuptim jetës. Nëse fotografia nuk është e tyrja për të kapur një shprehi të jetës së vërtetë, atëherë kush është roli i tyre?

Relaksi të çon më larg, më shpejt

Relaksi të çon më larg, më shpejt

Shumica e njerëzve vrapojnë për t’u relaksuar, por shpesh harrojnë të relaksohen ndërsa vrapojnë. Në çdo sport, njerëzit kanë prirjen të ngurtësohen ose të përqendrohen kaq fort në atë që po bëjnë saqë trupi i tyre kontraktohet në pozicione të dëmshme, mendo për shembull nofullat e shtrënguara fort ndërsa zbret tatëpjetë me biçikletë, shpatullat e ngurtësuara ndërsa vrapon ose vetullat e mbledhura ndërsa vret mendjen për lëvizjen tjetër të shahut.

Gjithsesi, për vrapin, mënyra më e mirë për të arritur rezultatet maksimale është të jesh i lirshëm. Kjo do të thotë të jesh i relaksuar. Shiko një maratonë të madhe dhe çfarë është gjëja e parë që vëren tek udhëheqësit e garës (përveç faktit që ritmi me të cilin po vrapojnë është i pamundur) – të gjithë duken të çlirët dhe të qetë, apo jo?

Pa dyshim që udhëheqësit e garave kanë një strategji në mendje, por vrapuesit më të mirë e kanë perfeksionuar artin e të qënurit të relaksuar gjatë vrapimit, dhe kjo është arsyeja pse edhe në distancat më të gjata duken sikur janë duke kërcyer mbi re.

Rri i qetë dhe shiko trupin tënd si reagon.

Një mënyrë për të gjetur pikën tënde të relaksit është të përqendrohesh te frymëmarrja. “Marrja frymë thellë e qetëson trupin dhe përgatit muskujt për lëvizje”, shkruan sërfisti i madh legjendar Laird Hamilton në Revistën Men. “Kur fillova të fokusohesha te frymëmarrja, u bëra atlet më i fortë dhe isha në gjendje të kontrolloja më mirë nivelet e mia të mundimit dhe dhimbjes.”

Hamilton përkrah praktikën e marrjes frymë thellë me hundë e cila e çon frymën më thellë në diafragmë, muskuli që ndan mushkëritë nga stomaku. “Kjo bën që barku të zgjerohet, duke krijuar një presion për poshtë në stomak i cili detyron ajrin të futet në mushkëri dhe rrit qarkullimin e gjakut nga zemra dhe drejt saj… nëse ke bërë ndonjëherë joga, ti e di që frymëmarrja diafragmatike është çlodhëse.”

Të përqendrohesh në atë që po bën trupi është një mënyrë tjetër për të qenë i relaksuar gjatë vrapit. Në shkrimin për Runner’s World, psikologu sportiv Jerry Lynch thotë, Sekreti për një vrap më të qetë dhe më të shpejtë është të fokusohesh në të qënurit i relaksuar, në vend që të ‘sforcohesh’ për më shumë energji. Sforcimi bën që muskujt të tendosen. Atletët që vrapojnë të çlirët janë më të mirët.”

Lynch thotë se vrapuesit që duan të përmirësojnë stërvitjen e tyre duhet të provojnë disa teknika relaksi çdo ditë; gjëra të thjeshta si për shembull të relaksohen në fund të ditës duke bërë një banjë, të kundrojnë përreth ose të bëjnë joga, të gjitha ndihmojnë për ta vendosur mendjen dhe trupin në një gjendje relaksi.

Ndërsa je duke vrapuar, ndiq këtë këshillë për një seancë të qetë e më të mirë. “Sigurohu që të mos i kesh duart të shtrënguara por të mbyllura lehtë, sikur të jesh duke mbajtur vezë,” thotë Lynch. “Përqendrohu në një vrap të qetë dhe shmang hapat tepër të gjatë ose të shkurtër, pasi janë humbje energjie. Shkundi krahët, relakso shpatullat dhe mbaji krahët poshtë me bërrylat e shtrënguar por jo të bllokuar.” Shumë shpejt do të jesh duke fluturuar mbi pistë ose rrugë.